Pllakat Tektonike dhe shpërndarja e kontinenteve

   Teoria për ekzistencën e pllakave tektonike (fig,1) shenjat e para i dha që në fillim të shekullit XX, kur gjeofizicienti dhe klimatologu gjerman Alfred Vagner-i, duke vëzhguar përputhjet e vijave kufizuese ndërmjet Amerikës së jugut dhe Afrikës si dhe deri në një farë mase edhe ato të Europës, Amerikës Veriore bashkë me Grenlandën, erdhi në përfundim se  të gjitha këto kontinente të ndara sot ishin pjesë e një tërësie kontinentale të dikurshme (fig,5) të quajtur Pangea (d.m.th. “gjithëtoka”) e rrethuar me të ashtuquajturin Pantalase ( d.m.th “I gjithë oqeani).
Fig 1: Pllakat tektonike dhe tipi kufijëve të tyre, burimi i hartës (www.johomaps.com).

Sigurisht se provat e vetme të bashkimit të të gjitha kontinenteve në një të vetëm nuk ishin vetëm ato vizualet të cilat përputheshin ndërmjet kufijve të kontinenteve, por ekzistonin edhe prova të tjera që Vagner-it i shtonin besimin në teorinë revolucionare të tij si ato palentologjike, paleoklimatike dhe oro-strukturore (fig 2 ). Nga të dhënat më të besueshme paleontologjike janë edhe evidentimi dhe gjetja e fosileve të krijesave prehistorike si mesosauri i cili ishte një krijesë e vogël e ujrave të ëmbëla që prezenca e tij vërehej në Amerikën Jugore si dhe në Afrikën Përendimore, ku nga largësia mbi 5000km nuk ka shpjegim tjetër më të besueshëm se sa ndarja e kontinenteve nga njëri-tjetri, pasi është e pamundur që një krijesë e këtyre përmasave që jeton në ujrat e ëmbëla të ketë kaluar tej-përtej Oqeanin Atlantik. Gjithashtu përpos kësaj edhe gjetja e fosilizimit në shkëmbijtë e një lloj bime e quajtuar glosopteris e shpërndarë në Amerikën Jugore, Afrikë, Australi, Indi, Antarktik, kontinente që sot dihet për ndyshimet aq antagoniste të klimës që kanë ndërmjet veti, japin një pasqyrë tepër të besueshme për mundësinë e ekzistencës të të gjithë këtyre kontinenteve të lartëpërmendura në një të përbashkët, në atë pozitë të ekzistimit të një klime uniforme dhe optimale për këtë bimë.Nga evidencat dhe dëshmitë më të spikatuara paleoklimatologjike janë gjurmët akullnajore të vërejtura në vende që sotë praktikisht njihen si vende me klimë të ngrohtë tropikale si: pjesët juglindore të Amerikës Jugore, pjesa jugore e Afrikës, Indisë dhe Australisë Jugperëndimore.  “Gjurmët akullnajore që vërehen dhe janë më mirë të ruajtura janë gërvishtjet dhe lëmimet që kanë lënë pas tërheqja e akullnajave ku mendojmë së hulumtimi dhe drejtimi i tërheqjes dhe përparimit të masave akullnajore japin shpjegimin më bindës rreth kësaj çështje”.

Fig 2,  Dëshmitë paleoklimatike dhe paleontologjike të shpërndarjes së kontinenteve, Burimi fotografik (http://geologylearn.blogspot.mk).
     
Dëshmitë më vendimatare të shpërndarjes së masës kontinentale janë dëshmitë që kanë të bëjnë me tektodinamikën dhe tektostatikën e formimit të maleve të shpërndarë në tre kontinente që përkojnë njëri me tjetrin në një bashkim të vetëm (fig.2). Mosha e shkëmbijve që Vagner-i evidentoi në Brazil ishin të moshës 2.2 miliard vjeçare po të të njëjtës moshë ai gjeti edhe në pjesën përendimore të Afrikës, përveç kësaj nga më e besueshmja është mosha dhe struktura e njëjtë e Maleve Apalashe në juglindje të Amerikës Veriore, Maleve Atlas në Afrikën Veriperëndimore, dhe  Malet Kaledoniane në Skandinavi që po ti bashkosh në një kontinent të vetëm në bazë të parashikimeve të Vegner-it fitojmë një brez të vetëm malorë me shtrirje jugperëndim-verilindje që fillon nga pjesët e sotme të lartëpërmendura të Afrikës dhe Amerikës Veriore, kalon nëpër tërë territorin e Britanisë së Madhe dhe përfundon si brez tërësor malor me strukturë dhe moshë të njëjtë në pjesën e Skandinavisë së sotme dhe Grenlandës.
Fig 3: Brezi i njejtë malorë ndërmjet maleve, burimi i fotos-diagrami (http://geologylearn.blogspot.mk).
    
Sigurisht pas shumë dëshmive paleontologjike, paleoklimatologjike dhe të strukturave, vijmë në konkludimin tepër logjik se të gjithë këto kontinente në bazë të dëshmijve ishin ose krijonin një kontinent të  vetëm Pangean (200 milion vjet më parë) që më vonë rreth para 135 milion vjetëve u nda  në dy njësi të veçanta Laurazinë në veri dhe Gonduanën në jug duke vazhduar “notimin” dhe shpërndarjen e saj deri tek pamja që kemi sot, por pyetja më vendimtare pas gjithë kësaj që e cekëm është  se si arriti e gjithë kjo edhe pse kishte mendime të ndryshme rreth faktorëve që çuan deri tek shpërndarja e sotme që kemi të kontinenteve si ajo e ritjes graduale të madhësisë së planetit Tokë që çoj deri te shpërndarja dhe copëtimi i kontitentit të vetëm në më shumë të tjerë që kemi sot. Por analizat dhe vëzhgimet e mëvonshme vërtetuan ekzisetncën e pllakave tektonike që njëherësh janë dhe faktorë vendimtarë i të gjithë pamjes së kontinenteve që kemi sot, relievit si dhe hazardeve si dukuri, pjesë e të gjitha proceseve që modelojnë pamjen sipërfaqësore të planetit Tokë.
Fig 4. Shpërndarja e kontineteve, burimi i foto-diagrami (iasmania.com).
   
Koncepti i pllakave tektonike (fig 1), është relativisht i ri në shkencat e gjeologjisë përpos ideve të Vegner-it që japin shenjat e para të kësaj teorie, vendimtare ishin edhe analizat dhe studimet që pasuan pas Luftës së Dytë Botërore me pasurimin e mjeteve të reja për analiza. Me përdorimin e hidrolokatorit shkencëtarët arritën të formojnë një pamje më reale për fundet e oqeaneve, ku pas vëzhgimeve qe Marie Tharp ajo që në fillimi arriti të shohë çarjen e madhe në mes Oqeanit Atlantik, kur pas skepticizmit të kolegut të saj Brus Hizën (Bruce Heezen) me vendosjen e epiqendrave tërmetore mbi rielevimin e fundeve të oqeaneve arritën të shohin përputhshmërinë e epiqendrave tërmetore dhe çarjes se madhe në oqeanin Atlantik të propozuar nga vetë Marie Tharp, pas kësaj dëshmie një gjë ishtë e sigurtë, Vegner-i kishte të drejtë dhe e gjithë kjo shpërndarje e kontinenteve ka ndodhur në sajë të ekzistimit të njësive të veçanta të kores së Tokës, pra “copave” që notojnë mbi mantelin e tokës të ndara në mes veti dhe të quajtura pllaka tektonike. Ekzistojnë shtatë pllaka të mëdha tektonike dhe me dhjetra më të vogla të quajtura mikropllaka,nga të cilat më të njohur janë gjashtë apo shtatë prej tyre ( tabela 1). Ndarja nuk është decide pasi që në disa literatura dhe institute pllakën Indo-Australiane mund ta hasim si dy të veçanta përkatësisht ajo e Indisë dhe e Australisë, gjithashtu edhe pllakën e Arabisë mund ta hasim si pjesë të pllakës Indo- Australiane dhe shumë mikropllaka të tjera më të vogëla, por ne do ti përmbahemi atyre që i hasim më shumë:       
Tabela 1. Pllakat dhe mikropllakat tektonik     
Pllakat Tektonike
Mikropllakat tektonike kryesore
1. Pllaka e Paqësorit
1. Pllaka Nazka
2. Pllaka e Euroazisë
2. Pllaka Arabike
3. Pllaka Afrikane
3. Pllaka e Karaibeve
4. Pllaka e Amerikës Veriore
4. Pllaka e Kokos
5. Pllaka e Amerikës Jugore
5. Pllaka e Detit të Filipinëve
6. Pllaka Indo-Australiane
6. Pllaka Huan de Fuca
7. Pllaka e Antartikut
7. Pllaka e Skocisë
Pllakat tektonike “notojnë” mbi mantelin e Tokës që është në trajtë pothuajse të lëngshëme të përbërë nga shkëmbinjtë e shkrirë me dominim të silicit dhe magneziumit me temperaturë 2800-3000 ºC dhe e cila zë rreth 80% të vëllimit të planetit. Duke patur parasyshë së në qendër të Tokës gjendet koncentrimi i elementeve më të rënda, hekurit dhe nikelit, si pasojë e gravitetit të saj gjatë formimit, temperaturat janë aq të larta sa të stimulojnë rrymat konveksionale si përgjegjëse të lëvizjeve të pllakave tektonike, pasi dihet se temperatura në bërthamë është diku nga 5500ºC deri në 6000ºC.  Pllakat tektonike rrëshqasin mbi astenosferë si në shirit transportues që është një shtrësë me plasticitet të konsiderueshëm dhe temperaturë prej 1200ºC ku shkëmbinjtë janë pjesërisht të shkrirë. Shpejtësia e lëvizjes së pllakave tektonike është e ndryshmë nga 2.5 centimetra  në vit ndërmjet asaj të Amerikës Veriore dhe Euroazisë e deri në 4 ose 6 centimetra në vit ndërmjet asaj Indo-Australiane dhe Euroaziatike.
Fig 5,  Mekanizmi i tërësishëm i lëvizjes së pllakave tektonike, foto-diagrami ( Encyclopedia Britanica).
    
Në varshmëri të asaj se si pllakat tektonike ndërveprojnë ndërmjet veti, duke u larguar apo përplasur njëra me tjetrën i ndajmë në katër kategori të ndryshme të kufijve ndërmjet pllakave por edhe në këtë rast nuk mund të jemi shumë të prerë sepse shpesh të njëjtat pllaka tektonike në një pjesë divergjojnë (largohen) ndërsa në një pjesë tjetër rrëshqasin bri njëra tjetrës:
Divergjent ose konstruktiv: janë ato kufijë ku pllakat tektonike largohen njëra nga tjetra duke mundësuar daljen dhe ngurtësimin e magmës nga ku dhe krijohet korja e re e Tokës, prandaj dhe quhet konstruktiv. Raste të tilla kemi tek Oqeani Atlantik ku largimi i pllakës së Euroazisë dhe Afrikës në jug nga Pllakat Amerikane mundëson krijimin e korës së re oqeanike, gjithashtu raste të këtij tipi kufiri hasim edhe ndërmjet pllakës Indo-Australiane dhe asaj Afrikane, Pllakës se Paqësorit me atë të Antartikut. “Gjithashtu edhe pse ende nuk paraqet një kufi të mirëfilltë divergjent, rasti i çarjes së madhe të Afrikës Lindore i paraprin krijimit të mikropllakave të reja të pavarsuara nga ajo Afrikane”.
Konvergjent apo destruktiv: ky tip i kufijve paraqitet atje ku dy pllaka tektonike takohen/përplasen njëra me tjetrën, ku dhe nga ky takim/përplasje lindin vargëmale të reja gjigande si që kemi rastin e  Himalajeve, Andeve, Alpeve etj. Por nëse ky takim/përplasje ndodh ndërmjet dy pllakave oqeanike atëherë krijohen ishuj arkipelagësh si që kemi rastin tek arkipelagu i Filipineve. Kur takohen/përplasen një pllakë oqeanike me një pllakë kontinentale atëherë pllaka oqeanike për shkak të dendësisë më të madhe futet nën pllakën kontinentale  nga ku dhe arinë mantelin e Tokës dhe shkrirjen e saj (destruksionin), për të “rilindur” tek kufiri divergjent (konstruktiv) i pllakave. Raste të tilla kemi ndërmjet pllakës Indo-Australiane dhe asaj Euroaziatike  tek Arkipelagu Malaj si dhe ndërmjet Pllakës së Paqësorit dhe asaj të Filipineve ku dhe nga subduksioni (zhytja) është formuar edhe humnera më e thellë në botë, Humnera e Marianës.
Kufiri transformues: paraqitet atëherë kur dy pllaka tektonike rrëshqasin bri njëra- tjetrës pa u divergjuar ose konvergjuar ndërmjet vete dhe kur tejkalohet forca e fërkimit ndërmjet pllakava atëherë shkaktohen tërmete të fuqishme. Raste të tilla kemi edhe tek çarja e San Andrea-s në Kaliforni, ku pllaka e Paqësorit takohet/përplaset me atë të Amerikës së Veriut.
Subduksioni apo rrënja: paraqietet tek kufijtë konvergjent ku pllaka tektonike më e rëndë futet nën atë më të lëhtën duke formuar vargmale apo arkipelagje të ndryshme dhe njëherit duke qenë faktor reciklimi, duke shkaktuar shpërthime vullkanike nga gazrat e lidhura për shkëmbinjtë që arrinë në mantelin e tokës. Si dëshmi të lëvizjeve të pllakave tektonike janë edhe tërmetet, shpërthimet, konet vullkanike që lëvizin duke krijuar laguna, gujota si dhe ndryshimi i shtretërve lumor fosil si në rastin e San Andrea-s. 

© Gëzim Selami, 2017

Comments

Popular posts from this blog