Tërmetet

     Korja e tokës mbi të cilën ne kryejmë aktivitet tona të përditshme gjithmonë është në lëvizje të pahetueshme nga ne, përpos në raste të caktuara kur kemi thyerje apo ndryshim të menjëhershëm të shtresave shkëmbore për gjatë thyerjeve aktive duke shkaktuar çlirime të menjëhershme të energjisë që në sipërfaqe të Tokës manifestohet me lëkundje dhe dridhje në varësi të energjisë së liruar. Tërmetet gjatë gjithë historisë së njerëzimit ishin një rrezik objektiv për shoqëritë njerërzore, prandaj edhe vëmendja njerëzore dhe intelektuale posaçërisht ishin të përqënduara në hetimin dhe analizimin e dukurive që shkatëronin vendbanimet e njerëzve. Që para erës së re kishte orvatje tek kinezët për matjen e tërmeteve me anë të aparaturave tepër modeste dhe primitive. Por nga hulmtimet e mëvonshme dhe moderne edhe pse mekanizmat për matjen e tërmeteve kanë ndryshuar përsëri pafuqia njerëzore ndaj kësaj dukurie nuk ka bërë ndonjë progres në dobi të parashikimit apo edhe parandalimit të tërmeteve, përpos disa metodave preventive si inxhinjerike dhe gjeoteknike.
fig 1:  Krijimi dhe elementet e një tërmeti. Burimi (http.newspagedesigner.org).
Si të gjitha energjitë e tjera që mbarten nëpërmjet valëve edhe tërmetet nuk janë asgjë tjetër përpos se mbartje e energjisë në formë të valëve në mjedise fizike të kores së Tokës. Mekanizmat e formimit të tërmeteve sot pranohen gjërësisht se gjenezën e kanë tek rrymat konveksionale të Tokës, ku si pasojë e temperaturës më të ulët të mjedisit viskoz po thuajse të lëngët që përbën mantelin e Tokës, nxehtësia që ajo pranon nga bërthama detyron lëvizje ciklike të magmës të njohura si “rryma konveksionale”, me gjithë se burimi i energjisë rrjedh nga këtu, ajo bartet te sipërfaqja më e lartë e “litosferës” mbi të cilën gjendet “korja e Tokës” e fragmentuar në më shumë pjesë që lëvizin në më shumë drejtime duke u përplasur (kufijë divergjent) ose rrëshqitur paralel njëra me tjetrën (kufij tranformues të pllakave tektonike) ku në rast së pas tendosjes së fragmenteve të kores së Tokës (pllakave tektonike) ndodh që stresi i akumuluar për dhjetra ose qindra vite, tek tërmetet më të fuqishme, lirohet në trajtë të valës ashtu sikurse hudhim një gurë në ujë duke i dhënë energji shtesë dhe të menjëhershme mjedisit fizik dhe duke shkaktuar mbartjen e energjisë ndërmjet molekulave që ne e perceptojmë si valë. Në konceptin tonë të përgjithshëm të tërmeteve duhet pasur kujdes se jo gjithmonë tërmetet ndodhin vetëm për skaj kufijve të pllakave tektonike edhe pse është më se e sigurtë se janë pikërisht këto fragmente të kores së Tokës që “lundrojnë” mbi manetelin e Tokës duke krijuar të ashtuquajturat lëvizjet tektonike që janë përgjegjëse për krijimin e pjesës dërmuese të relievit në Tokë si: malet, fushëgropat, konet vullkanike, rafshnaltat si dhe në shtrirje më të gjerë basenet oqeanike dhe kontinentet.Nga gjithë ajo që u cek më lartë rreth pllakave tektonike si faktor i tërmeteve dhe tektonikës në përgjithësi është e lehtë të konkludohet se tërmetet e kësaj natyre që energjinë e marrin tek rrymat konveksionale, manifestohen në lëvizjen e pllakave tekonike dhe pas tejkalimit të forcës së fërkimit ndërmjet tyre ose të ndonjë çarje tjetër eventuale shkaktojnë vibrime ose bartje të energjisë nëpërmjet mjedisit fizik përkatës. Më të shpeshtë dhe më shumë paraqiten te të gjithë ato sipërfaqe të Tokës që kemi denievelime të konsiderueshme të sipërfaqes si pasojë e lëvizjeve të reja (neotektonike)  recente, si te relieve me dominim hors-grabenor të RM-së.Tërmetet e kësaj natyre të inicuar si pasojë e lëvizjeve të reja neotektonike reliev-formuse quhen tërmete tektonike, përjashtim bëjne një përqindje tëpër e vogël e tërmeteve që mund të klasifikohen në tërmete vullkanike të shëmbjeve antropogjene etj.

Fig 2: Shpërndarja gjeografike e tërmeteve (www.iscac.uk)
Tërmetet vullkanike paraqiten si pasojë e shpërthimeve vullkanike por që përsëri janë të lidhura ngushtë me lëvizjet e pllakave të mëdha tektonike, pra tektonikës në përgjithësi, pasi dihet se zonat sizmike dhe ato vullkanike janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe lokalizohen në kufij të pllakave tektonike. Pasi në këto pjesë kemi edhe subduksion të pllakave ose edhe divergjencë të tyre që mundëson daljen e magmës nga toka dhe në rastet e shumta subduktive krijimin e koneve vullkanike për një periudhë të gjatë, si pasojë e futjes së pjesës oqeanike në mantel të Tokës dhe lirimin e temperaturës në rradhë të parë si pasojë e radioaktivitetit të pjesshëm të shkëmbinjve dhe njëkohësisht lirimin e gazrave si në formë të “hot spoteve” (pikave të nxehta) ku në varshmëri të kohës së gjatë të veprimit dhe lëvizjeve tektonike me rënie paraqitet edhe dalja e këtyre pjesëzave të magmës së liruar nga gazrat e quajtura “vullkane”. Në varshmëri të aciditetit të vullkanit dhe të formës së kraterit paraqiten shpërthime të shoqëruara me vibracione të tokës por që nuk duhet harruar se në këto zona subduktive me rënie të konsiderueshme të pllakës oqeanike zakonisht si pasojë e dendësisë, paraqiten edhe vibrime tjera si pasojë e fërkimit dhe thyerjes së pjesëve shkëmbore ose kores së Tokës. Tërmetet tjera shumë më të dobëta dhe tepër të rralla, që kryesisht kanë karakter lokal, janë edhe ato rezultat i shembjeve ose rënies së tavanit të shpellave, galerive, minierave etj. por që kanë karakter antropogjen dhe që shkaktojnë dridhje të tokës, pra tërmete. Ajo që duket logjike në këto rrethana duke qenë se shpellat formohen zakonisht tek tretja e ngadalshme e shkëmbinjëve karbonatik, përpos metodave gjeofizike si ajo e graviometrisë për përcaktimin e zonave potencialisht të rrezikshme si bazament merret përseri tektonika dhe gjeologjia e vendit, për shembull, tabanet e dikurshme detare mbi të cilët jan krijuar shkëmbinjtë sedimentar karbonatik si pasojë e lëvizjeve tektonike pozitive dhe negative në raport me gjeoidin, copëtimit dhe kryqëzimeve tektonike, rënies apo mbivendosjes së shtresave, mund të vijë në përfundim se cilat prej zonave potencialisht mundet të paraqesin rrezik të shembjeve dhe tërmeteve.Tërmetet e kombinuara janë ato tërmete ku si pjesëmarrës për formimin e tyre është edhe faktori njerëzorë, për shembull puna në miniera, eksplodimet e ndryshme, krijimi dhe mbushja e bazeneve artificiale që shkakton të ashtuquajtura tërmete të induktuara për shkak të shtimit të peshës etj. Përpos këtyre tërmete mund të shkaktojnë edhe rënia e trupave të ndryshëm qiellorë, por e përbashkëta e të gjithë këtyre që cekëm është karakteri i tyre rajonal dhe forca e dobët e veprimit me sipërfaqen e Tokë krahasuar me tërmetet tekonike.  


© Gëzim Selami

Comments

Popular posts from this blog